Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu është angazhuar paraditen e sotme që të kërkojë identifikimin e personave përgjegjës që kanë mundur të manipulojnë me rezultatet e votave të kandidatëve për deputet në këtë qytet.
Kryeziu tha se e ka autorizuar Policinë që t’i identifikojë përgjegjësit dhe të sigurojë prova, përfshirë procesverbale dhe nënshkrime, për t’i hetuar keqpërdorimet e mundshme me vota.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha ai.
Kryeziu tha se personat që kanë falsifikuar rezultatet e votave të deputetëve përmes vendosjes së nënshkrimeve të tyre do të mbajnë përgjegjësi.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren./Gazetës Express

