Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës vazhdon mbledhjen e dëshmive, fton qytetarët të kontribuojnë

by informim peje

Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka njoftuar se po vazhdon me mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive autentike mbi krimet e luftës në Kosovë, duke pasuruar vazhdimisht fondin arkivor me materiale të vlefshme.

“Fotoreporteri i njohur, Ridvan Slivova, ka bërë dorëzimin zyrtar të materialeve dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e së vërtetës historike dhe drejtësisë”, thotë ky institut.

banner

Po ashtu Shefki Mexhuani, ish-drejtor Ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret”, me vendqëndrim në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurojnë ruajtjen e dëshmive të rëndësishme për gjeneratat e ardhshme.

“Në kuadër të këtij angazhimi, Gani Vila, drejtor i televizionit Albanian TV of America në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve mediatike, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në ruajtjen e informacionit historik për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera theksohet se stafi i IKKL-së zhvilloi gjithashtu një takim me gazetaren Ilire Zajmi, e cila u njoh nga afër me punën e Institutit, vizitoi arkivin dhe përgëzoi stafin për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit materialet e saj dokumentare që pasqyrojnë krimet e luftës.

Po ashtu, Selatin Novosella priti stafin e IKKL-së në Shoqatën e të Burgosurve Politikë në Prishtinë, ku i dhuroi Institutit pesë libra dhe nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit duke shprehur vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë dhe për dorëzim të dokumenteve që dëshmojnë torturat, burgosjet dhe persekutimin e shqiptarëve nga represioni serb që nga viti 1945.

Ndërkohë, Fadil Curri, publicist dhe aktivist, së bashku me Sadullah Krasniqin nga Komuna e Obiliqit, vizituan Institutin dhe dorëzuan botime librash që pasqyrojnë represionin e regjimit serb ndaj popullatës civile, duke kontribuuar në dokumentimin e luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

IKKL-ja ka shprehur mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut, sepse çdo material i ruajtur është një hap më afër së vërtetës, drejtësisë dhe pasuron kujtesën kolektive.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy