Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar fillimin e grumbullimit të informatave dhe provave për manipulimin e rezultateve të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat ku pati rinumërim dhe ku u evidentuan mospërputhje.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit në vazhdimësi ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të vendit, “ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, sipas njoftimit.
“Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se mbeten të angazhuar “për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.
Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve ka nxjerrë dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike.

