Prokuroria Themelore në Gjilan është aktivizuar në lidhje me hetimet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Arianit Sllamnikut.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Prokuroria në Gjilan njoftoi se tanimë kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë.
Gjithashtu Prokuroria tha se do të na mbajë të informuar në lidhje me veprimet e mëtejshme.
Burime të këtij mediumi bëjnë me dije se Arianit Sllamniku tanimë është duke u intervistuar nga zyrtarët policorë të Kosovës.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot, më datë 20 janar 2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar dje. Prokuroria Themelore në Gjilan, do t’ju mbajë të informuar për veprimet e mëtutjeshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj”, thonë nga Prokuroria në Gjilan.
Lajmi.net dhe Klan Kosova kanë raportuar se si Arianit Sllamniku deklaronte se “shëron autizmin” dhe se në raportet që u shfaqte prindërve të fëmijëve të spektrit autik u shkruante të përdornin barëra të kafshëve.
Kësisoj shumë prindër janë ankuar në lidhje me këtë çështje duke shfaqur dyshime për veprimtarinë e tij.
Sllamniku emër i njohur për publikun nga konspiracione të ndryshme, të cilat ka shfaqur ndër vite, prej mbi 1 vit po zhvillonte veprimtarinë e raportuar në këtë rast.
Mbi këtë çështje mbrëmë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shprehur shqetësim mbi këtë rast. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë u tha se ka ndjekur me shqetësim raportimet lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore”, theksohet tutje.
MSH-ja deklaroi se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”.

