Drutë për ngrohje të shkollës fillore “Sylejman Vokshi” në Deçan janë përfshi nga zjarri ku edhe kanë ndërhy zjarrfikësit për ta ndalë zjarrin.
Drejtori i Arsimit në komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, ka njoftuar shkaqet që çuan deri te zjarri janë ende të panjohura, megjithatë thekson se mësimi do të vazhdojë pasi që shkolla posedon kondicionerët për ngrohje.
Ai bën të ditur se do të fillojë edhe furnizimi me dru.
“Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore “Sylejman Vokshi” për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur. Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore. Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore “Sylejman Vokshi” do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje”, njofton ai.
Ai ka falënderuar të gjithë për reagimin.“Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës”, ka shkruar Hulaj.

