Nura kundër rizgjedhjes së Osmanit, propozon Rifat Jasharin për president

by informim peje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka vlerësuar se subjekti i tij politik nuk duhet t’ia japë votën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Nura, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka deklaruar se ky qëndrim lidhet me faktin se, sipas tij, Osmani gjatë mandatit të saj ka mbajtur qëndrime të njëanshme në favor të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

banner

“Kemi pasur një takim menjëherë pas zgjedhjeve, por nuk kemi diskutuar për këtë çështje. Unë personalisht mendoj se Vjosa Osmani nuk duhet të marrë vota nga PDK-ja dhe nga asnjë parti tjetër opozitare, pasi është parë qartë se ka mbajtur qëndrime pro Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Nura.

Ai ka shtuar se PDK-ja do të duhej të dilte me një propozim të vetin për presidentin e ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se figura që duhet propozuar duhet të jetë unike dhe përbashkuese.

Sipas Nurës, emri më i përshtatshëm për këtë post është Rifat Jashari.

“Mendoj se ajo nuk duhet të vihet më në sprovë. PDK-ja do të duhej të dilte me një propozim me një figurë unike dhe përbashkuese, një figurë që vazhdimisht ka kërkuar unitet dhe bashkim të spektrit politik. Në këtë mandat do të ishte e drejtë dhe e mirë që të propozohej Rifat Jashari për president të Kosovës. Do të ishte një nder për Kosovën”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse një figurë si Rifat Jashari do të kishte përkrahjen e partive të tjera politike, Nura është shprehur optimist, duke thënë se beson se ai do t’i merrte votat e nevojshme edhe pa koordinim paraprak ndërmjet partive.

“Nuk besoj se ndonjë parti do ta kundërshtonte apo do të gjente ndonjë mënyrë për t’iu shmangur votimit të një figure të tillë. Duke e ditur se Rifati në çdo tubim ka kërkuar bashkimin e partive politike rreth interesit të përbashkët për Kosovën, kam besimin se, sapo të propozohej emri i tij për votim, ai do t’i merrte votat”, ka përfunduar Nura.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy