Gjatë ditës së sotme, u raportua se Gjykata Speciale ka zhvilluar ligjërata me nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Ky aktivitet u konfirmua për “Nacionalen” nga vetë gjykata, transmeton Klankosova.tv.
“Po, ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, në kundërshtim Gjykatës Speciale i ka dalë gjimnazi “Xhevdet Doda”, ku përmes një reagimi publik ka theksuar se këto ligjërata nuk janë mbajtur nga zyrtarë të Speciales.
Më poshtë gjeni reagimin e “Xhevdet Dodës”:
Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë.
Ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.
Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ. Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative.
Çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar.
Theksojmë se kjo organizatë ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.
Për informacione shtesë, palët e interesuara mund të kontaktojnë drejtpërdrejt organizatën në fjalë.
Drejtoria Komunale e Arsimit nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtjen e ligjëratave të tilla, dhe pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës – KDSH.
Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik.
Me një reagim rreth kësaj çështjeje ka dalë edhe Ismail Tasholli, themelues i platformës Liria ka Emër, i cili tha se kjo gjykatë po e sulmon Kosovën nën brez.

