Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për aksionin e koduar “Bregdeti”, i cili ka përfunduar me arrestimin e tre personave dhe konfiskimin e mbi 76 kilogramëve marihuanë.
Po ashtu janë konfiskuar edhe një armë zjarri, dy vetura, një kamion, një telefon dhe 2950 euro.
Lidhur me këtë aksion është kryer bastisje edhe në dy lokacione ku janë gjetur 4kg marihuanë, dy vetura, 2 telefonë dhe një armë me gas.
Tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë Prishtinë, edhe të njësive tjera mbështetëse, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore, në lidhje me rastin e koduar “Bregdeti” me datën 21.01.2026 rreth orës 23:00 afër pikëkalimit kufitar në Merdare është ndaluar i dyshuari H. S. i cili ishte duke e drejtuar një kamion me targa vendore dhe gjatë kontrollit në kamion janë gjetur të fshehura 68 (gjashtëdhjetë e tetë) paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë (shtatëdhjetë e gjashtë kilogramë e 800 gramë) .
Ndërkaq është realizuar edhe urdhër kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, në asistencë të njësisë së NJRSH-së, dhe gjatë kontrollit janë gjetur:
1 (një) armë zjarri me 5 fishekë të kalibrit 9.9 mm,
2 (dy) vetura,
1 (një) kamion,
1 (një) telefon celular,
para të gatshme 2950 (dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) euro.
Në vazhdimësi të operacionit, me datën 22.01.2026, është realizuar bastisje edhe në dy lokacione, shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak – Podujevë dhe gjatë kontrollit të tyre janë gjetur:
4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë (katër kilogramë e 454 gramë)
2 vetura
2 telefona celularë
thasë najloni të zbrazur ngjyrë të zezë dhe ngjitës, që kanë shërbyer për paketimin narkotikëve.
Po ashtu është gjetur një armë zjarri me gaz e modelit Signasauser.
Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore.
Prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme me qëllim ndriçimit të veprave penale dhe vendosjen e kryerësve të tyre para organeve kompetente, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurtë për qytetarët e Republikës së Kosovës

