E ardhmja e Kenan Yildiz është e gjitha për t’u shkruar. Fakt është që fantazisti turk ka një kontratë të vlefshme me Juven deri në 2029, por zërat e shumtë që vijnë nga merkato nuk e lënë të qetë “Zonjën e Vjetër” duke detyruar këta të fundit të futen sërish në negociata për të blinduar yllin e ekipit. Sigurisht në mes janë edhe shumë para, pasi përfaqësuesit e Yildiz, me të drejtë, kërkojnë një përmirësim të ndjeshëm të pagës, të paktën ta barazohet me shokët e tij të repartit. Pas ndeshjes kundër Benfikës, Yildiz u ngacmua nga gazetarët në lidhje me të ardhmen e tij:
“Kontrata me Juven? Nuk dua të flas për këtë. Unë jam i përqendruar vetëm në fushë, në atë që duhet të bëjë aty. Jam mirë te Juventus, kjo ka rendësi për momentin. Këtu jam në shtëpinë time”, u shpreh Yildiz duke folur më pas për raportin me Spallettin, me këtë të fundit që vijon të “përkëdhel” talentin turk:
“Trajneri ka thënë se me do si një fëmijë. Me misterin kam një raport special, ai është një njeri i madh, po bën shumë për mua dhe unë përpiqem gjithnjë të jap më të mirën për të dhe për skuadrën.
Krahasimi me Lamine Yamal? Ai është një lojtar i madh, një nga më të fortët në botë. Mua nuk më pëlqejnë krahasimet, përpiqem vetëm të bëj punën time, të përmirësohem dhe të bëj më të mirën për Juventus, për skuadrën dhe për tifozët”, u shpreh Yildiz.

