Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësim dinjitoz dhe për të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar ndërmjet Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane (PDE), Arjanit Hoxha.
Në njoftim thuhet se takimi u mbajt në një frymë konstruktive dhe me vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik, ku u theksua nevoja për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët.
“Palët vlerësuan se një bashkim i tillë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit politik, përfaqësimin më të fuqishëm institucional të shqiptarëve dhe avancimin e proceseve euro-integruese të Maqedonisë së Veriut”, theksohet në njoftim.
Gjatë takimit, thuhet se u arrit marrëveshje që në të ardhmen BDI dhe PDE të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik, në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim, si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend. Ky bashkim synon bashkërendimin e kapaciteteve organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të procesit të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim. Të dyja palët shprehën bindjen se ky bashkim do të shërbejë si shembull i përgjegjësisë politike dhe unitetit, duke kontribuar në forcimin e interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim

