Kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali, bashkë me ministrat e tjerë të jashtëm nga rajoni, po qëndron në Stamboll me ftesë të homologut të saj, Hakan Fidan.
Ministrat u ftuan në kuadër të Platformës për Paqe Ballkanike, e cila ka për qëllim diskutimin mbi rrugët e avancimit të bashkëpunimit rajonal për ndërlidhje, zhvillim ekonomik, siguri energjetike dhe integrim europian.
Në këtë takim nga Kosova po merr pjesë ministrja në detyrë e Punëve të Jashme, Donika Gërvalla. Ndërkaq, nga Serbia është kryediplomati Marko Gjuriq.
Spiropali tha se Fidan, në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, i ka prezantuar rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash.
“Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes me besimin se bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare”.
Spiropali ndau fotografi nga takimi i përbashkët, të cilin e kryesoi Fidan.


