Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (Joint Logistic Support Group – JLSG) zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku u prit në një takim nga Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Liburn Aliu.
Vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe forcave aleate të NATO-s, si dhe me qëllim njohjen nga afër të kapaciteteve dhe infrastrukturës portuale që Porti i Durrësit ofron për mbështetjen e operacioneve logjistike dhe ushtarake.
Gjatë takimit, delegacioni i KFOR-it, i përbërë nga përfaqësues të niveleve të ndryshme drejtuese dhe operative, u njoh me potencialin operacional të portit, zonat e shërbimit dhe mundësitë që Shqipëria ofron në kuadër të rolit të saj si vend pritës për operacione të zhvilluara apo të mbështetura nga KFOR-i.
Takimi shërbeu gjithashtu për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional, si dhe për shkëmbimin e informacionit mbi nevojat logjistike, planifikimin operacional dhe rolin strategjik të Portit të Durrësit në rajon.

