Në Presidencën e Kosovës e kanë cilësuar historike përfshirjen e Kosovës si një nga 19 shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nismë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndërkohë që nga Qeveria në detyrë ka munguar reagimi publik për këtë zhvillim.
Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka deklaruar se nënshkrimi i Kartës së Bordit të Paqes përbën një nga vendimet më të rëndësishme të Kosovës pas pavarësisë dhe pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas saj, ky hap e fuqizon pozitën ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht përballë shteteve mosnjohëse.
Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten, Kadaj-Bujupi ka bërë të ditur se presidentja Osmani pritet që së shpejti t’i ftojë liderët e të gjitha partive politike për t’i njoftuar për veprimet e mëtejme dhe obligimet që do t’i ketë Kosova në kuadër të Bordit të Paqes.
“Shumë shpejt presidentja do t’i ftojë të gjithë liderët e partive politike për t’i njoftuar për veprimet e mëtutjeshme dhe obligimet që do t’i ketë Kosova. Nuk ka delegim të sovranitetit dhe nuk ka asnjë kosto financiare në kuptim të tarifave apo pagesave të ndryshme”, ka thënë ajo.
Kosova u bë pjesë e Bordit të Paqes në ceremoninë e mbajtur në Davos të Zvicrës, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani. Ajo ka falënderuar presidentin Trump për ftesën dhe ka njoftuar se marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
Megjithatë, pavarësisht se akti i themelimit është përshëndetur nga liderë të partive opozitare, për këtë zhvillim nuk ka pasur reagim publik nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, as nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
E pyetur për këtë heshtje, Kadaj-Bujupi nuk ka dashur ta komentojë, por ka mohuar se ka pasur mungesë koordinimi mes Presidencës dhe Qeverisë.
“Kryeministri ka qenë në Davos dhe kanë qenë në koordinim të plotë, ashtu siç kanë qenë në të gjitha veprimet e rëndësishme kohët e fundit. Të gjitha të arriturat e presidentes janë edhe të Qeverisë dhe të kryeministrit, dhe anasjelltas”, ka deklaruar ajo.
Sa i përket rolit dhe funksionimit të Bordit të Paqes, Kadaj-Bujupi ka theksuar se, ndryshe nga Kombet e Bashkuara, në këtë mekanizëm Rusia dhe Kina nuk kanë të drejtë vetoje. Bordi fillimisht është përqendruar në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael–Gazë, por Karta e tij nuk e kufizon veprimtarinë vetëm në këtë konflikt./Koha

