Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimet janë kryer më 23 janar 2026, rreth orës 13:50, në rrugën “Robin Kuk”. Gjatë kontrollit të një veture në të cilën ndodheshin të dyshuarit, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Po ashtu, policia ka kryer kontroll edhe në një objekt banues me objekte përcjellëse, pronë e njërit nga të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 398.9 gramë marihuanë, dy telefona mobilë, para të gatshme në vlerë prej rreth 113.60 euro, dy peshore digjitale, si dhe një armë zjarri – revole.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

