Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka ngritur alarmin se vonesat në konstituimin e institucioneve të reja shtetërore, si pasojë e rinumërimit të votave, mund të shkaktojnë bllokada buxhetore dhe vonesa në pagesat e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, policinë dhe administratën publike.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se procesi i rinumërimit po e shtyn edhe më tej formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke rrezikuar funksionimin normal financiar të shtetit. Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale dhe mosaprovimi i Ligjit për Buxhetin e vitit 2026 krijojnë pasiguri serioze për pagesat mujore të punëtorëve.
Jashari theksoi se situata aktuale është e rëndë, pasi vendi ka kaluar një periudhë të gjatë pa institucione të plota funksionale, ndërsa vonesat e reja vetëm sa e thellojnë krizën. Ai ngriti shqetësimin se në sektorin e arsimit po shtohen pyetjet dhe frika për mundësinë e mosrealizimit të pagave, për shkak të mungesës së bazës ligjore buxhetore.
Sipas tij, SBASHK dhe sindikatat e tjera kanë qenë në pritje të formimit të institucioneve kyçe, si Këshilli Ekonomik Social dhe strukturat e tjera vendimmarrëse, për të dhënë kontributin e tyre në proceset ligjore dhe reformuese. Megjithatë, këto procese, sipas Jasharit, janë bllokuar për shkak të mungesës së vullnetit institucional dhe dialogut me sindikatat.
Ai shtoi se pezullimi i dialogut social dhe vonesat në trajtimin e kërkesave ligjore, përfshirë ndryshimet në skemat pensionale për punëtorët e arsimit, po krijojnë pakënaqësi dhe pasiguri të madhe tek punëtorët e sektorit publik.
Jashari paralajmëroi se çdo vonesë e pagave do të kishte pasoja të rënda sociale, pasi shumë punëtorë janë të varur nga paga mujore për shlyerjen e kredive dhe mbulimin e shpenzimeve bazike të jetesës.
Në fund, ai theksoi se prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë rikthimi i dialogut me sindikatat dhe zgjidhja e çështjeve të hapura në arsim, përfshirë nënshkrimin e kontratës kolektive dhe adresimin e problemeve të krijuara nga Ligji i Pagave. Sipas tij, vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit institucional mund të shmangen kriza të reja sociale dhe financiare.

