Federata e Karatesë e Kosovës ka njoftuar se karateistja Vlera Qerimi, ka arritur të renditet në vendin e pestë në garën Premier League të mbajtur në Stamboll.
Sipas njoftimit në Facebook, Qerimi pati paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë garës, duke dominuar fazën e grupeve dhe duke u renditur e para në grupin e saj.
Në çerekfinale, ajo shënoi fitore bindëse me rezultat 8:0, duke konfirmuar formën e lartë dhe konkurrueshmërinë në arenën ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Në gjysmëfinale, FKK tha se karateistja kosovare u përball me sportisten egjiptiane Handy Handir, ku pas një dueli të fortë u ndal ngushtë me rezultat 3:2.
Ndërkohë, në ndeshjen për medaljen e bronztë, Qerimi u mposht nga rusja Aleksandra Meshkova me rezultat 2:0, duke e përmbyllur garën në vendin e pestë.
Sipas Federatës së Karatesë së Kosovës, kjo paraqet arritjen më të madhe individuale në karrierën e Vlera Qerimit, si dëshmi e punës, sakrificës dhe përkushtimit të saj ndër vite.
Në këtë garë, “edhe karateistja tjetër kosovare, Fortesa, pati paraqitje dinjitoze, por nuk arriti të kalojë fazën e grupeve”, thuhet në njoftim.

