Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 26-vjetorin e fillimit të përpjekjes për liri të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), duke e cilësuar atë si dëshmi të pathyeshmërisë së shqiptarëve për mbrojtjen e vendit dhe qenësisë së tyre.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se në këtë datë të shënuar, iu bashkua komandantit Shefket Musliu në “Kullën e Bashkimit”, në praninë e shumë ish-bashkëluftëtarëve. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe gjenerali Lahi Brahimaj, i cili, sipas Haradinajt, sot shënon ditëlindjen.
“UÇPMB-ja, që para 26 vjetësh nisi përpjekjen për liri, është dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur vendin dhe qenësinë e tyre. Nder i veçantë që, në këtë datë të shënuar, iu bashkova komandant Shefket Musliut në “Kullën e Bashkimit”, në mesin e shumë bashkëluftëtarëve. Në këtë ngjarje na nderoi me prezencë edhe Gjeneral Lahi Brahimaj, i cili sot shënon ditëlindjen. Shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë vazhdojnë të mbajnë gjallë idealin dhe përkushtimin për të drejtat e tyre, në tokën e stërgjyshërve. Jemi bashkë në betimin për të mbrojtur të drejtat e tyre të patjetërsueshme”, ka shkruar ai.

