Për rreth 5 orë, minatorët e Trepçës mbrëmjen e së dielës mbetën të ngujuar pas orarit të punës, qindra metra nën tokë.
Një defekt në furnizimin me energji elektrike, ua pamundësoi atyre daljen. Megjithatë, në gjendje të mirë shëndetësore, 22 minatorët arritën të dalin jashtë.
“Defekti ka ndodh në orën 09:00 dhe minatorët kanë pasur të dalin nga miniera në orën 11:00. Që i bie diku përafërsisht 4-5 orë jashtë orarit të ndërrimit. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Nuk kanë panik në këto raste pasi janë të mësuar. Fatkeqësisht ne jemi të varur nga një linjë. Nuk kemi një linjë zëvendësuese për t’i nxjerrë minatorët nga miniera”, ka thënë Faton Ahmeti, kryeshef Ekzekutiv i ‘Trepçës’.
Nga Sindikata e Trepçës kanë bërë thirrje që të bëhen investime në mënyrë që mos të përballen me situata të tilla.
“Unë i kisha bërë thirrje institucioneve, menaxhmentit dhe Ministrisë së Ekonomisë, linjës që e menaxhon ndërmarrjen, të bëj veprime konkrete dhe të marrë hapa për sigurinë e jetës së minatorëve dhe të bëjë disa investime në ato pjesët vitale sepse nuk duhet të përsëritet kjo dhe të cenohet jeta dhe dinjiteti i minatorëve”, ka thënë Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikës së Trepçës.
Kryeshefi Ahmeti tha se për çdo vit minatorët furnizohen me uniforma e pajisje të nevojshme për punë.
Ai potencoi se nga ky vit kanë marrë premtime edhe për furnizim me makineri.
“Sa i përket uniformave, nuk ka asnjë problem. Ne kemi një normativ që minatorët çdo vit furnizohen me uniforma dhe çizme, dorëza, shlema. Kurse sa i përket investimeve në makineri, ka diku në 10 – 11 vite që nuk kemi makineri të re. Kemi premtime që këtë vit kemi me startu me makineri të re”, ka shtuar Ahmeti.
Ndërkohë, kryeshefi i ndërmarrjes Trepça, nënvizoi se krahasuar me vitin 2024, prodhimi i ndërmarrjes është rritur për mbi 80%.

