Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi është takuar me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Në njoftimin e KQZ’së thuhet se Radoniqi e ka njoftuar ambasadorin McGurk për aktivitetet që aktualisht po i zhvillon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në drejtim të përmbylljes së procesit të rinumërimit të vendvotimeve dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Nga ana e tij, ambasadori McGurk përgëzoi KQZ-në për organizimin e procesit zgjedhor, si dhe për hapat e ndërmarrë në evidentimin e problemeve gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë. Ai theksoi gjithashtu përkushtimin e KQZ-së në mbrojtjen e integritetit të votës dhe rezultateve zgjedhore.
Në fund të takimit, Radoniqi dhe McGurk u dakorduan për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.”

