Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe plot vetëbesim kur u pyet nga një gazetar pas fitores 3‑0 kundër Real Oviedo.
Braziliani është rikthyer në formë të shkëlqyer që nga rikuperimi pas dëmtimit dhe po vazhdon të jetë një figurë kyçe për ekipin katalunas, përcjell “Gazeta Express”.
Raphinha ka shënuar 8 gola në 13 ndeshje të La Ligas këtë sezon dhe kur u pyet nëse ai mendon se po luan më mirë se sezonin e kaluar, ai reagoi me një koment të fuqishëm:
“Kam 8 gola në 13 ndeshje. A mendoni se ka ndryshuar diçka nga sezoni i kaluar? Ju jeni ata që mund t’i shikoni ndeshjet. Unë po e bëj punën time dhe mendoj se jam duke e bërë të njëjtën gjë si sezonin e kaluar.”
Raphinha shtoi se është gjithmonë në kërkim të përmirësimit personal, duke theksuar se nuk do të deklarojë kurrë se është në formën e tij më të mirë, sepse synon gjithmonë të rritet e të zhvillohet si futbollist.
Në të njëjtën kohë, ai i kushtoi edhe fjalë pozitive golit spektakolar të shokut të tij të skuadrës, Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si një moment “legjendar” për ekipin.
Me këtë formë, Raphinha po e përforcon rolin e tij si një prej elementëve kryesorë të Barcelonës në garën për të fituar trofe të tjerë në këtë vit.

