Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim të posaçëm.
Sipas të dhënave zyrtare, procesi ka nisur më 13 janar 2026 dhe deri më sot, më 26 janar, janë rinumëruar 1.729 vendvotime nga gjithsej 2.557. Kjo shifër përfaqëson 67.62 për qind të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve të përfshira në rinumërim.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 47.04 për qind të votave. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.70 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.42 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.94 për qind.
Nga KQZ bëhet e ditur se procesi po zhvillohet sipas planifikimit dhe nën mbikëqyrje të rreptë, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas përmbylljes së plotë të rinumërimit.

