Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka shprehur kënaqësinë e tij për fjalët e thëna nga trajneri i Benficës dhe ish-shefi i tij, Jose Mourinho, të cilin Arbeloa e konsideron një mentor si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Dyshja do të përballet për herë të parë si rivalë në rolin e trajnerëve të mërkurën mbrëma, kur Real Madridi luan ndaj Benficës.
Mourinho kishte deklaruar më herët se Arbeloa “mund të mos ketë qenë ndër lojtarët më të mirë që ka pasur te Real Madridi, por ndoshta ka qenë një nga më të mirët”. Marrëdhënia mes tyre ishte një nga temat kryesore të konferencës për shtyp para ndeshjes, teksa Real Madridi synon të sigurojë një vend në tetëshen e parë të Ligës së Kampionëve.
“Po, po, sigurisht. Nuk e humba konferencën e misterit. Nuk i humbisja as kur isha lojtar dhe i shikonim të gjitha në dhomat e zhveshjes… dhe nuk e humba as sot. Ishte një nder i jashtëzakonshëm të dëgjoja gjithçka që tha për mua. Jam emocional dhe i lumtur, sepse ai ka qenë shumë më tepër se thjesht një trajner për mua. Mbi të gjitha, në aspektin njerëzor, ka qenë shumë i rëndësishëm gjatë gjithë karrierës sime. Sot e konsideroj edhe një mik shumë të mirë. Nga këtu dua ta falënderoj për të gjitha fjalët e mira. Mezi pres ta shoh nesër dhe ta përqafoj fort”, tha ai.
Arbeloa shpesh është parë si një “dishepull” i Mourinhos në rolin e trajnerit, por në konferencën e tij të parë për shtyp deklaroi se nuk do të përpiqej ta imitonte atë. Më herët, gjatë karrierës si lojtar, ai kishte thënë se “përpiqej të ishte mourinhist në gjithçka që bënte”.
“Një model, sigurisht. E thashë që ditën e parë: nuk do të ketë kurrë dikë si Jose. Kushdo që përpiqet ta imitojë do të dështojë. Këtë e kam kuptuar që në fillim. Suksesi im do të jetë të jem vetvetja. Dhe sigurisht, brenda këtij ‘të qenit Alvaro Arbeloa’, ka një pjesë të madhe të ndikimit të tij dhe gjithçkaje që ai përfaqësonte. Kam mësuar shumë prej tij, si në aspektin e komunikimit ashtu edhe në atë taktik. Por gjithsesi… ja ku jemi. Nesër do të përballemi dhe e di që ai do të dëshirojë të fitojë, sepse e njoh sa konkurrues është. Por edhe unë do të dua të fitoj. Dhe gjëja më e rëndësishme do të jenë ato 90 minuta”, shtoi ai.
“Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë trajnerëve të mi, që nga fëmijëria. Caparros, që më dha besim dhe më lejoi të bëja hapin drejt Liverpoolit. Pastaj Benitez, që ishte kyç. U ktheva te Real Madridi dhe punova me trajnerë të mëdhenj. Kam qenë shumë me fat. Kjo është ajo që të mëson futbolli; nuk ka një rrugë të vetme drejt suksesit. Të gjithë ishin liderë të mirë me ide dhe koncepte të shkëlqyera”, vazhdoi Arbeloa.
Pavarësisht marrëdhënies së ngushtë mes tyre, Mourinho kishte konfirmuar se nuk kishte qenë në kontakt me Arbeloan që nga momenti kur spanjolli mori drejtimin e Real Madridit.
“Natyrisht që kemi qëndruar në kontakt. Nuk do t’ju gënjej: e di kush është Mourinho dhe e di si duhet të jetë telefoni i tij. Mund ta kuptoni pse ai e ndërron numrin kaq shpesh. Jam përpjekur ta ‘bezdis’ sa më pak të jetë e mundur. Por ai është nga ata miq me të cilët mund të mos flasësh për një kohë të gjatë, dhe nëse e telefonon në orën 3 të mëngjesit, jam i sigurt që do të përgjigjet. Dhe do të ishte aty për çdo gjë që do t’i nevojitej. Ky është raporti që kam me Jose-n. Kemi qëndruar në kontakt, por jam përpjekur të mos jem shumë insistues”, u shpreh spanjolli.
Mourinho kishte shtuar gjithashtu se, edhe pse nuk mund t’i jepte këshilla Arbeloas, shpresonte që ai po e shijonte rolin e trajnerit të Real Madridit. Arbeloa u pyet nëse ndihej rehat në këtë pozicion.
“Ndjej një përgjegjësi të madhe. Këtë punë mund ta bësh këtu vetëm nëse e shijon. Kjo është ajo që po bëj, duke nxjerrë maksimumin nga lojtarët e mi. E shoh njësoj në çdo fushë të jetës; duhet ta shijosh deri në fund, duke e ditur sa shumë përpjekje kërkon.”
“Los Blancos” aktualisht ndodhen në vendin e tretë në renditjen e Ligës së Kampionëvedhe e dinë se edhe me një humbje kanë shanse të mira për të siguruar një biletë direkte për në raundin e 1/8-ave.
Një fitore ose një barazim do ta garantonte pothuajse plotësisht këtë, ndërsa ekziston ende mundësia që të renditen si të dytët, nëse Bayern Munich gabon ndaj PSV Eindhoven.

