Bruno Fernandes raportohet se është në dilemë sa i përket të ardhmes së tij te Manchester United.
Edhe pse mesfushori portugez po e shijon përmirësimin e ekipit nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Michael Carrick, ai mbetet i pasigurt për drejtuesit e klubit dhe drejtimin që ata po i japin skuadrës.
Sipas “Mirror”, Fernandes do t’i shqyrtojë seriozisht opsionet e tij gjatë verës së ardhshme, duke marrë në konsideratë çdo ofertë të rëndësishme që mund të mbërrijë për të.
Futbollisti ka kontratë me “Djajtë e Kuq” deri në vitin 2027, ndërsa në moshën 31-vjeçare është i vetëdijshëm se kontrata e radhës pritet të jetë marrëveshja e fundit e madhe e karrierës së tij. Për këtë arsye, ai nuk dëshiron të nënvlerësohet nga një bord drejtues që, sipas raportimeve, kishte qenë i gatshëm ta shiste atë vitin e kaluar.
Fernandes synon një pagë rreth 400 mijë paund në javë për kontratën e ardhshme, ose edhe më shumë në rast se do të vendosë të pranojë një transferim të mundshëm drejt Ligës Profesionale të Arabisë Saudite.
Përveç aspektit financiar, portugezi kërkon qartësi edhe për planet e klubit në lidhje me trajnerin afatgjatë të ekipit të parë, qoftë ai Michael Carrick apo një emër tjetër

