Administrata e presidentit amerikan Donald Trump i ka sinjalizuar Ukrainës se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara do të varen nga gatishmëria e Kievit për të pranuar një marrëveshje paqeje, e cila me shumë gjasë do të kërkonte që Ukraina t’ia lëshojë rajonin e Donbasit – Rusisë, raportoi të martën gazeta Financial Times, duke cituar tetë burime të njohura me negociatat.
Sipas raportimit, Uashingtoni ka lënë të kuptohet gjithashtu se mund t’i ofrojë Ukrainës më shumë armë për të forcuar ushtrinë e saj në kohë paqeje, nëse Kievi pranon të tërheqë forcat nga disa pjesë të rajonit lindor që aktualisht i kontrollon.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi të dielën se dokumenti amerikan për garancitë e sigurisë për Ukrainën është “100 për qind gati” dhe se tani Kievi është në pritje të përcaktimit të kohës dhe vendit për nënshkrim.
Megjithatë, Zelenski ka theksuar vazhdimisht se integriteti territorial i Ukrainës duhet të ruhet në çdo marrëveshje të mundshme paqeje që synon t’i japë fund luftës.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha Financial Times se Ukraina po bëhet gjithnjë e më e pasigurt nëse Uashingtoni do të angazhohet realisht për garanci sigurie, duke shtuar se SHBA-të “ndalen çdo herë që dokumentet për garancitë janë gati për nënshkrim”.
Sipas raportimit, Kievi dëshiron që garancitë e sigurisë të konfirmohen para se të bëhet ndonjë lëshim territorial, ndërsa Shtetet e Bashkuara besojnë se Ukraina duhet të heqë dorë nga Donbasi për t’i dhënë fund luftës. Po ashtu, thuhet se Trump nuk po ushtron presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për të tërhequr këtë kërkesë.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë i ka mohuar këto pretendime. “Kjo është plotësisht e pasaktë – roli i vetëm i SHBA-së në procesin e paqes është të sjellë të dyja palët në tryezë për të arritur një marrëveshje,” deklaroi për Financial Times Anna Kelly, zëvendës-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Një burim i njohur me qëndrimin amerikan i tha gazetës se Uashingtoni “nuk po përpiqet t’i imponojë Ukrainës asnjë lëshim territorial”, duke shtuar se garancitë e sigurisë varen nga fakti nëse të dyja palët bien dakord për një marrëveshje paqeje.
Ndërkohë, Kremlini deklaroi të hënën se çështja e territoreve mbetet thelbësore për çdo marrëveshje që synon përfundimin e luftimeve në Ukrainë, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS, pas bisedimeve trepalëshe të zhvilluara fundjavën e kaluar në Abu Dhabi.

