Pas gati 20 vjet negociata, BE dhe India nënshkruajnë marrëveshje historike tregtare

by engel

Bashkimi Evropian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike tregtare pas negociatave që zgjatën pothuajse dy dekada, duke krijuar një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë. Marrëveshja përfshin rreth dy miliardë konsumatorë dhe përfaqëson afro 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.

Pakti tregtar, i cili përjashton një sërë produktesh bujqësore të ndjeshme, konsiderohet kulmi i strategjisë së re të hapjes tregtare të BE-së, veçanërisht në një moment kur marrëveshja me Mercosur-in e Amerikës Latine është vënë sërish në pikëpyetje.

banner

“Është nëna e të gjitha marrëveshjeve”, deklaruan në Nju Delhi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri indian, Narendra Modi. Marrëveshja bashkon BE-në me 27 vende dhe shtetin më të populluar në botë, i cili që nga viti 2023 ka kaluar Kinën sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Sipas zyrtarëve evropianë, marrëveshja me Indinë shënon një hap strategjik përtej bashkëpunimit tradicional tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke e pozicionuar BE-në si një aktor kyç në arkitekturën e re ekonomike globale. Njëkohësisht, ajo shihet si një kundërpeshë ndaj skenarëve të mundshëm të afrimit të Indisë me blloqe anti-perëndimore të udhëhequra nga Kina ose Rusia.

Pritshmëri të larta për eksportet evropiane

Aktualisht, rreth 6.000 kompani evropiane operojnë në tregun indian, por potenciali për zgjerim mbetet i madh. Industria evropiane e automobilave, për shembull, mban vetëm 4% të tregut indian.

Komisioni Evropian vlerëson se falë marrëveshjes së re, eksportet evropiane drejt Indisë mund të dyfishohen deri në vitin 2032. Tarifat për automjetet evropiane do të ulen nga 110% në 10%, për verën nga 150% në 20%, ndërsa produkte si vaji i ullirit dhe makaronat do të hyjnë në tregun indian pa tarifa doganore.

Nga ana tjetër, produktet indiane do të përfitojnë akses më të favorshëm në tregun evropian, veçanërisht në sektorët e tekstilit, farmaceutikës dhe çelikut.

Pa protesta bujqësore

Ndryshe nga marrëveshja Mercosur, pakti tregtar me Indinë nuk ka shkaktuar deri tani reagime të forta apo protesta nga sektori bujqësor evropian. Kjo për faktin se produkte të ndjeshme si mishi i viçit dhe derrit, sheqeri dhe orizi janë përjashtuar nga marrëveshja dhe do të vazhdojnë të mbrohen me tarifa.

Komisioni Evropian thekson se këto përjashtime “mbrojnë plotësisht sektorët e ndjeshëm të bujqësisë evropiane”, ndërsa zyrtarët e BE-së e cilësojnë marrëveshjen si një kapitull të ri të politikës tregtare, që synon forcimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy