Një situatë e rëndë emergjente po zhvillohet në jug të Italisë, ku qyteti i Niscemit, në provincën e Caltanissetta-s në Siçili, po përballet me një rrëshqitje masive dherash që ka vënë në rrezik serioz qendrën e banuar. Sipas autoriteteve italiane, i gjithë shpati mbi të cilin është ndërtuar qyteti është në lëvizje, ndërsa kodra po shembet gradualisht drejt fushës së Gelës.
Departamenti Kombëtar i Mbrojtjes Civile ka ngritur alarmin, duke bërë të ditur se deri tani rreth 1.500 persona janë detyruar të braktisin banesat e tyre, ndërsa ky numër pritet të rritet në ditët në vijim. Dhjetëra ndërtesa banimi ndodhen aktualisht në zonën e rrezikut, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit.
Kreu i Departamentit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano, deklaroi se rrëshqitja e dheut mbetet aktive dhe se fenomeni është shumë më i gjerë nga sa duket në pamje të parë. “Jo vetëm pjesët e dukshme janë në lëvizje, por në realitet e gjithë kodra po rrëshqet drejt fushës së Gelës”, theksoi ai, pas një inspektimi në terren së bashku me ekspertë dhe përfaqësues të autoriteteve vendore.
Ciciliano ndodhet në Niscemi për të marrë pjesë në një takim emergjent në Qendrën Operative Komunale (COC), së bashku me presidentin e Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, kreun e Mbrojtjes Civile Rajonale, Salvo Cocina, si dhe profesorin e gjeologjisë Nicola Casagli, i cili po ndjek nga afër zhvillimin e situatës.
Autoritetet kanë kryer gjithashtu një fluturim vëzhgues mbi zonën e prekur, për të identifikuar çarjet dhe zonat më të rrezikuara në kodër dhe në fushën përreth. Në terren ka mbërritur edhe prokurori i Gelës, Salvatore Vella, i cili ka zhvilluar një inspektim në të ashtuquajturën “zonë e kuqe”.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave i Italisë ka miratuar fondet e para për përballimin e emergjencës. Për familjet e zhvendosura është aktivizuar kontributi për sistemim autonom (CAS), i cili parashikon 400 euro për familje, plus 100 euro për çdo anëtar, deri në një maksimum prej 900 euro në muaj, për një periudhë njëvjeçare.
Vendimi u është komunikuar kryetarëve të grupeve parlamentare nga presidenti i Asamblesë Rajonale Siçiliane, Gaetano Galvagno. Procedurat për përfitimin e ndihmës financiare janë aktivizuar pas urdhrit të evakuimit dhe pritet të përfundojnë brenda pak ditësh.
Ndërkohë, shqetësimi mes banorëve të Niscemit mbetet i lartë. Famullitari i qytetit, don Giuseppe Cafà, e ka cilësuar fenomenin si të paprecedentë në Evropë. “Gjeologët thonë se një rrëshqitje e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Fronti i rrëshqitjes shtrihet në rreth katër kilometra dhe në disa pika arrin deri në 50 metra thellësi. Është krijuar një kanion i vërtetë”, u shpreh ai.
Autoritetet po vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, ndërsa përparësi mbetet siguria e banorëve dhe parandalimi i pasojave të mëtejshme nga kjo rrëshqitje masive dherash.

