Hisen Berisha reagon ashpër: Kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të marrëveshjes së MASHT me OJQ-të

by engel

Ish-deputeti dhe veprimtari i çështjeve kombëtare, Hisen Berisha, ka reaguar publikisht me tone të forta ndaj Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe disa organizatave joqeveritare, duke e cilësuar atë si një marrëveshje të rrezikshme për arsimin publik, rendin kushtetues dhe edukimin e brezave të rinj.

Në një reagim të gjatë publik, Berisha kërkon revokimin dhe shfuqizimin e menjëhershëm të Memorandumit të nënshkruar në vitin 2017 mes MASHT-it, Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Community Building Mitrovica (CBM) dhe programit “Demand for Justice” (D4J). Sipas tij, kjo marrëveshje ka hapur rrugë për përfshirjen e subjekteve me “narrativë politike të kontestueshme” në shkollat publike parauniversitare, duke u dhënë qasje direkte nxënësve të mitur, jashtë çdo kornize të qartë ligjore dhe pedagogjike.

banner

Berisha thekson se Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës përcakton qartë se çdo aktivitet edukativ në shkollat publike duhet të jetë i miratuar institucionalisht, neutral në përmbajtje dhe në përputhje me kurrikulën shtetërore, ndërsa interesi më i lartë i fëmijës është parim i panegociueshëm. Sipas tij, Memorandumi në fjalë nuk garanton asnjë nga këto standarde, pasi mungojnë mekanizmat e kontrollit, proceset e akreditimit dhe garancitë për neutralitet ideologjik.

Në reagimin e tij, Berisha shpreh shqetësim të veçantë për përmbajtjen e ligjëratave që, sipas tij, mund të relativizojnë luftën çlirimtare të UÇK-së dhe të promovojnë narrativa që barazojnë moralisht agresorin me viktimën. Ai paralajmëron se përfshirja e organizatave të lidhura me narrativën e Dhomave të Specializuara në Hagë në edukimin e të miturve përbën rrezik serioz për rendin kushtetues të Kosovës, i cili, sipas Kushtetutës, buron nga lufta çlirimtare.

“Shkollat publike nuk janë hapësira për eksperimente politike apo ideologjike,” thekson Berisha, duke shtuar se çështja tejkalon dimensionin arsimor dhe shndërrohet në problem të sigurisë publike dhe përgjegjësisë shtetërore.

Ai refuzon çdo pretendim se aktivitetet janë zhvilluar pa dijeni institucionale, duke theksuar se MASHT është palë nënshkruese e Memorandumit dhe mban përgjegjësi të plotë për lejimin e qasjes në shkolla, përmbajtjen edukative dhe mungesën e filtrave ligjorë.

Në fund, Berisha u bën thirrje qytetarëve, prindërve, arsimtarëve, shoqërisë civile dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së që t’i drejtohen publikisht MASHT-it me kërkesë për shfuqizimin e marrëveshjes, pezullimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve që burojnë prej saj, verifikim të plotë institucional dhe sqarim të përgjegjësive administrative dhe politike.

“Kjo nuk është thirrje për censurë, por për ligj, përgjegjësi dhe mbrojtje të interesit publik,” përfundon Berisha, duke theksuar se edukimi nuk duhet të shndërrohet në instrument të devijimit të historisë dhe se UÇK-ja mbetet themeli i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy