I mbijetoi aksidentit tragjik me 7 viktima, i riu rrëfen momentet brenda furgonit të tifozëve të PAOK-ut: “Timoni u bllokua”

by engel

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik rrugor të ndodhur në Rumani, ku humbën jetën shtatë tifozë të ekipit grek PAOK, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Mes viktimave ndodhej edhe një shtetas shqiptar, ndërsa një tjetër bashkëkombës ka mbetur i plagosur.

Njëri nga të mbijetuarit, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor, ka dhënë një dëshmi paraprake mbi momentet dramatike që paraprinë përplasjen fatale. Sipas tij, gjatë një manovre parakalimi, timoni i furgonit dyshohet se u bllokua si pasojë e aktivizimit të sistemit të asistencës për mbajtjen e korsisë. “Timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të ndihmësit të korsisë”, mësohet se i ka deklaruar ai mjekut grek Dimitris Koukoulas, i cili ndodhej në spitalin ku u transportuan të plagosurit.

banner

Deklarata është bërë publike nga vetë mjeku gjatë një interviste për televizionin shtetëror grek ERT. Megjithatë, autoritetet rumune theksojnë se kjo dëshmi mbetet ende për t’u verifikuar në kuadër të hetimit zyrtar që është në zhvillim.

Ekspertë të sigurisë rrugore sqarojnë se sistemi i asistencës për mbajtjen e korsisë çaktivizohet automatikisht në momentin kur shoferi aktivizon sinjalin e kthesës, pasi sistemi e “kupton” se ndryshimi i korsisë është i qëllimshëm. Në pamjet filmike të aksidentit, sinjali i kthesës në furgon shihet i ndezur, çka nënkupton se, nëse sistemi ka funksionuar normalisht, ai nuk do të duhej të ndërhynte në drejtimin e timonit.

Çfarë është asistenca për mbajtjen e korsisë

Asistenca për mbajtjen e korsisë është një teknologji e avancuar sigurie, e cila përdor kamera për të monitoruar vijëzimet horizontale të rrugës. Në rast se automjeti devijon pa dashje nga korsia, sistemi ndërhyn lehtë në timon për ta rikthyer automjetin në trajektoren e duhur. Edhe pse shoferi mbetet gjithmonë përgjegjës për drejtimin, ky sistem konsiderohet ndihmës i rëndësishëm, veçanërisht gjatë udhëtimeve të gjata ose në kushte lodhjeje. Funksionimi i tij ndryshon nga një model automjeti në tjetrin, pasi disa sisteme aplikojnë korrigjime të vazhdueshme për ta mbajtur automjetin në qendër të korsisë.

Aksidenti tragjik

Aksidenti ndodhi në Qarkun Timiş, në rrugën DN6–E70, pranë qytetit Lugoj, në hyrje të unazës rrugore. Momenti fatal është regjistruar nga një kamerë e vendosur në një kamion që lëvizte në të njëjtin aks rrugor. Në pamje shihet furgoni i zi, me dhjetë tifozë të PAOK-ut në bord, i cili sapo kishte përfunduar një parakalim. Fillimisht automjeti duket se lëviz drejt korsisë së djathtë, por papritur devijon në korsinë e kundërt, duke u përplasur ballë për ballë me një kamion që vinte përballë.

Përplasja ishte jashtëzakonisht e dhunshme, duke e hedhur furgonin jashtë rruge dhe duke shpërndarë sende të shumta nga brenda mjetit. Bilanci tragjik ishte shtatë viktima dhe tre të plagosur rëndë, duke e kthyer udhëtimin drejt Lionit të Francës, ku tifozët po udhëtonin për të ndjekur ndeshjen e ekipit të tyre të zemrës, në një nga aksidentet më të rënda rrugore që kanë tronditur komunitetin e tifozëve grekë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy