Kardiologu Gorani: Po rriten rastet e sëmundjeve të zemrës te të rinjtë në Kosovë

by informim peje

Numri i të rinjve të prekur nga sëmundjet e zemrës është në rritje, përfshirë pacientë të moshës 20 deri në 30 vjeç, ka deklaruar kardiologu Daut Gorani në një intervistë për Ekonomia Online. Ai tha se gjatë muajve të fundit janë trajtuar edhe raste të pacientëve shumë të rinj, të cilët janë paraqitur me sindromë akute koronare.

“Kohët e fundit është vërejtur një trend në rritje i të sëmurëve nga zemra në moshë të re. Para disa muajsh kemi pranuar një pacient 22-vjeçar, pastaj edhe 23-24-vjeçarë. Pra, nga mosha 20 deri në 30 vjeç, kohëve të fundit ka mjaft pacientë që vijnë me sindromë akute koronare”, tha ai.

banner

Sipas Goranit, kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me faktorët e rrezikut, ku në krye renditen duhanpirja, përdorimi i drogave, ushqimi i pashëndetshëm dhe stresi.

“Është shqetësuese dhe lidhet me faktorët e rrezikut. Në radhë të parë është duhanpirja, e cila është shumë e pranishme te të rinjtë. Ndonjëherë hasim edhe abuzim me droga, pasi ato shkaktojnë çarjen e arterieve koronare, pra enëve të gjakut të zemrës. Pastaj kemi kequshqyerjen; obeziteti është shumë i pranishëm kohëve të fundit, pasi të rinjtë konsumojnë shumë ushqim të shpejtë me yndyrna dhe sheqerna”, tha ai.

Ai shtoi se edhe stresi, diabeti dhe faktorët gjenetikë luajnë rol të rëndësishëm në shfaqjen e hershme të sëmundjeve kardiake.

“Stresi është një nga faktorët shumë të rëndësishëm. Jeta është shumë dinamike, problemet e ndryshme të të rinjve dhe rritja e nivelit të kortizolit në gjak shkaktojnë një zinxhir çrregullimesh në organizëm dhe, natyrisht, edhe atake kardiake. Po ashtu, diabeti po paraqitet gjithnjë e më shpesh te të rinjtë në moshë të hershme. Faktorët gjenetikë janë vendimtarë: mund të mungojnë të gjithë faktorët e tjerë të rrezikut, por nëse gjenetika është e pranishme, sëmundja shfaqet herët. Ndërsa mund të ndodhë edhe e kundërta”, tha ai.

Duke folur për parandalimin, Gorani kërkoi rikthimin e masave kundër duhanpirjes në hapësirat publike dhe më shumë edukim për stil jetese të shëndetshëm.

“Një kohë institucionet shtetërore kanë ndërmarrë masa kufizuese për përdorimin e duhanit në lokale dhe hapësira publike, por kohët e fundit ato janë zbehur dhe duhanpirja është sërish shumë e pranishme. Duhet të rikthehen masa rigoroze kundër duhanpirjes; ky është apeli im”, tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe kontrollit të faktorëve të tjerë shëndetësorë.

“Duhet edukim i të rinjve për ushqyerje të shëndetshme dhe reduktim maksimal të kequshqyerjes. Të motivohen për aktivitet fizik, përfshirë sportet, fitnesin dhe forma të tjera angazhimi fizik. Rregullimi i tensionit arterial është po ashtu shumë i rëndësishëm, si dhe kontrolli i peshës trupore, i diabetit dhe reduktimi i stresit”, tha ai.

Në fund, Gorani apeloi për kujdes të shtuar ndaj përdorimit të drogave.

“Sidomos të rinjtë duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos konsumojnë kurrsesi droga, pasi ato shkaktojnë çrregullime serioze në organizëm. Përveç dëmtimeve të organeve të tjera, enët e gjakut janë ndër më të prekurat nga përdorimi i drogave”, përfundoi ai./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy