Merret vendim për çmimet e shezlongëve, edhe plazhet publike bëhen me pagesë!

by engel

Qeveria ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregulloren për administrimin e stacioneve të plazhit, duke i dhënë bashkive kompetenca të zgjeruara për të kontrolluar çmimet e shezlongëve dhe për të menaxhuar drejtpërdrejt disa hapësira publike. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, që ndryshon rregulloren e vitit 2024, sjell rregulla më të rrepta për sezonin e ardhshëm veror dhe zgjeron hartën e turizmit përtej bregdetit, duke përfshirë edhe liqenet dhe lumenjtë.

Çmime tavan për shezlongët – Për herë të parë, Këshillat Bashkiakë do të kenë të drejtën të vendosin “çmime tavan” për shezlongët dhe çadrat, përpara nisjes së sezonit turistik. Sipas vendimit, bashkitë mund të miratojnë çmimet maksimale për çdo zonë, të cilat do të shërbejnë si kufi i detyrueshëm për subjektet private që operojnë në plazh.

banner

Në rast se Këshilli Bashkiak nuk merr një vendim të tillë, çmimi maksimal do të negociohet mes bashkisë dhe subjektit privat në momentin e lidhjes së kontratës. Çmimi i dakordësuar do të jetë pjesë integrale e kontratës dhe nuk mund të tejkalohet gjatë gjithë sezonit veror. Çdo shkelje e këtij kufiri do të konsiderohet shkelje kontraktuale dhe mund të çojë në zgjidhjen e kontratës.

Kategori e re: plazh publik me pagesë nga bashkia

Një risi e rëndësishme e vendimit është krijimi i kategorisë “Plazh publik i tarifuar nga NJVV-ja”. Këto plazhe do të administrohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, duke garantuar njëkohësisht standarde sigurie, pastrimi dhe shërbimi.

Ndryshe nga praktikat e deritanishme, këto hapësira nuk mund t’u jepen privatëve. Bashkitë ndalohen t’i kontraktojnë apo t’i delegojnë te palë të treta, me qëllim shmangien e abuzimeve me hapësirat publike.

Rregulla për investitorët strategjikë dhe kontrolli i zhurmave

Vendimi sjell edhe kufizime të reja për investitorët strategjikë. Edhe pse ata ruajnë përparësinë për të pasur stacion plazhi, e drejta e përdorimit të tij nis vetëm pasi struktura akomoduese (hotel apo resort) të jetë vënë realisht në funksion. Kjo masë synon të ndalojë zaptimin e plazheve nga projekte të papërfunduara apo kantiere ndërtimi.

Po ashtu, bashkitë detyrohen të publikojnë paraprakisht hartën e zhurmave për secilin plazh, për të garantuar respektimin e qetësisë dhe standardeve mjedisore gjatë sezonit turistik.

Përjashtime për bizneset pa struktura hoteliere

Vendimi parashikon edhe disa përjashtime. Në zona të caktuara, subjektet që disponojnë vetëm restorant ose bar, pa pasur hotel, do të mund të kenë stacion plazhi deri në 50 çadra. Kjo vlen për plazhe si Zvërnec, Plazhi i Vjetër në Vlorë, Spille, Vilë-Bashtovë, Gjiri i Lalzit, Currila, Porto-Romano në Durrës, Borsh, Llaman, Lukovë në Himarë dhe Rrjoll në Shkodër.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit ngarkohen me monitorimin e zbatimit të tij në terren.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy