Familja e Albës ka reaguar përmes një postimi në Instagram, në një deklaratë të gjatë, lidhur me situatat e ndodhura brenda formatit ku ajo po merr pjesë si dhe me komentet dhe gjykimet e shumta të publikut.
Në deklaratë theksohet mbështetja e plotë për Albën dhe besimi i palëkundur në forcën, karakterin dhe veprimet e saj, duke nënvizuar se ajo është 100 për qind vetvetja dhe reale në çdo situatë.
Familja shprehet se çdo vendim i Albës do të respektohet dhe mbështetet, pavarësisht mënyrës se si ka rrjedhur loja brenda formatit.
Sipas reagimit, konsiderohet e padrejtë dhe absurde që publiku të gjykojë situata personale që ndodhin brenda një formati që nuk ka karakter edukativ, duke theksuar se ngjarje të tilla ndodhin edhe jashtë tij, në jetën reale.
Familja apelon për empati, duke kujtuar se askush nuk e njeh plotësisht realitetin dhe ndjenjat e atyre që po i përjetojnë situatat nga brenda.
“Çdo familje ka persona që gabojnë dhe bëjnë gjëra që nuk dinë t’i kontrollojnë, por askush nuk ka të drejtë të gjykojë mënyrën se si dikush zgjedh ta jetojë jetën e vet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjithashtu, familja dënon komentet ofenduese, bullizuese dhe denigruese, duke theksuar se ato nuk pasqyrojnë vlerat e një shoqërie të shëndetshme dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët e veta.
Në reagim theksohet se Alba nuk i jep llogari askujt për jetën e saj personale dhe se, ndonëse tradhtia dhe dhuna ndodhin edhe jashtë formatit, ato nuk duhet të normalizohen.
Në fund, familja falënderon nga zemra të gjithë ata që e mbështesin Albën, duke i konsideruar si motivimin kryesor për veprime të mira dhe për një jetë më të mirë.
“Ju jeni arsyeja pse Alba është në finale”, thuhet në mesazh.

