Neuropsikiatri Sami Rexhepi ka deklaruar dje në emisionin Kosova Live se konsumimi i drogës nga fëmijë të moshës 9–10 vjeç në Kosovë nuk është thjesht një dukuri, por një alarm serioz për profesionistët, që të ndërhyjnë sa më herët, në mënyrë që kjo të mos shndërrohet në një problem të përhapur shoqëror.
Ai theksoi se numri i rasteve është shqetësues, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një moshë që nuk krijon të ardhura dhe është plotësisht e varur nga paratë dhe kujdesi i prindërve, të cilët, sipas tij, shpeshherë i neglizhojnë fëmijët.
Rexhepi shtoi se përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë kryesisht buron nga problemet e brendshme familjare, veçanërisht në familjet ku ka dhunë, duke bërë që fëmijët të kërkojnë mbështetje apo “strehë” në dukuri si përdorimi i drogës apo alkoolit.

