Kryeministër e ministra në detyrë, kryeparlamentar në detyrë edhe pse vendi s’ka Kuvend, e një presidente me mandat afër përfundimit, është situata politike e cila e ka përcjell Kosovën tashmë për rreth një vit. Vendi që nuk ka institucionet e tij fuqiplotë për disa muaj, vazhdon të jetë ende në fazë zgjedhjesh. Kjo pasi që sot janë bërë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit, atyre të 28 dhjetorit, e fazë e cila ende s’ka përfunduar.
Numërimi i votave, i cili fillimisht u pa si një proces që po kryhet më shpejt se zakonisht, shpejt mori drejtim tjetër, duke shkuar drejt zgjatjes e vonesave. Një gjë e tillë ndodhi për shkak të identifikimit të mospërputhjeve të votave në masë të madhe brenda partive politike mes kandidatëve, gjë e cila çoi drejt hetimeve për manipulim, bastisjeve e arrestimeve.
Porse, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është paralajmëruar se rinumërimi pritet të përfundoj në fund të janarit, e certifikimi në fillim të shkurtit. Ky zhvillim do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit.
Duke parë rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, konstituimi i Kuvendit e formimi i qeverisë s’duket se do të jetë problem, meqë, Lëvizja Vetëvendosje ka marr plot 57 ulëse në parlament, e të cilës, i nevojiten vetëm edhe katër vota për votimin e institucioneve të reja.
Sidoqoftë, konstituimi e qeveria s’janë temat që krijojnë diskutime e supozime për zhvillimet politike të këtij viti, që jo pak njohës aludojnë se vendi sërish mund të jetë para një procesi të ri zgjedhor.
Posti i Presidentit
Zgjedhja e presidentit të ri është nyja rreth së cilës sot, të gjithë lidhin analizat, komentet e parashikimet e tyre për politikën e këtij viti.
Përderisa pesë vite më parë, LVV’ja, që edhe atëherë kishte pak a shumë këtë numër deputetësh, ishin të gjithë pro zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente, një situatë e tillë duket se nuk ekziston kësaj radhe.
Osmani, të cilës i përfundon mandati brenda pak javësh, ka shprehur hapur dëshirën që të jetë edhe për një mandat tjetër në krye të këtij posti.
Megjithatë, duket se kjo dëshirë mbetet vetëm e saja.
Kjo për arsye se asnjëra nga partitë, e madje asnjë nga përfaqësuesit e partive politike, s’është shprehur ‘pro’ mandatit të dytë së Osmanit.
Partia Demokratike e Kosovës, e Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat janë partia e dytë dhe e tretë më të votuarat në vend, kanë bërë thirrje për marrëveshje e konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri, duke lënë të kuptohet që këto parti duan një person më neutral për president, diçka për të cilën, pra neutraliteti, Osmani sipas vlerësimeve nuk është shquar gjatë këtyre pesë viteve.
Edhe nga LVV’ja s’kanë shprehur ndonjë gatishmëri. Madje edhe vetë lideri i kësaj partie, Albin Kurti, që gjatë qeverisjes së tij ka pasur qasje ‘’kokëfortësie’’ e ‘’këmbënguljeje’’, për çështjen e presidentit, ka paralajmëruar diskutime me opozitën. Ai është thirrur edhe në çështjen e numrit të votave për këtë proces, duke përmendur se duhet 80 veta në sallë.
Sa i përket mandatit të Osmanit, i njëjti asaj i përfundon me 4 prill, kurse, zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, gjë që nënkupton se ky proces duhet të kryhet në ditët e para të marsit.
Ndryshe, presidenti i vendit zgjidhet nga shumica absolute e deputeteve të kuvendit. Ky proces mund të zhvillohet në disa runde, ku për të parin dhe të dytin, kërkohet që në sallën e Kuvendit të jetë mbi 80 deputetë nga 120. Kurse për të tretin mjafton edhe shumica e thjeshtë. Kësisoj, pavarësisht shumicës që ka VV’ja në Kuvend, për president duhen edhe votat e partive të tjera. /GazetaExpress

