Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e Antidrogës të zhvilluar në Suharekë, ku u arrestuan pesë persona. Tre prej tyre mbeten në ndalim për 48 orë, ndërsa dy të tjerë u liruan në procedurë të rregullt.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, bëri të ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar substanca narkotike, para, pajisje, automjete, telefona celularë dhe një pistoletë.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e drejtësisë është e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e abuzimit dhe trafikimit të substancave narkotike në të gjithë vendin. Do të aplikohet tolerancë zero ndaj grupeve dhe individëve të përfshirë në veprimtari kriminale, duke vepruar me vendosmëri dhe në përputhje me ligjin për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë”, tha Hoxha për Klankosova.tv.
Ky aksion vjen si pjesë e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për të luftuar kriminalitetin dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve në të gjithë vendin.



