Isa Mustafa thirrje për unitet dhe vetërregullim në LDK: “Problemet nuk zgjidhen me tifozllëk”

by engel

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar për herë të parë pas zhvillimeve të fundit në parti, duke u shprehur se ka shmangur me vetëdije komentet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe debatet për dorëheqje apo ndryshime në krye të LDK-së. Në një postim publik, Mustafa thekson se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe institucionale, e cila duhet të trajtohet ekskluzivisht në organet vendimmarrëse të partisë.

Ai kritikon deklarimet individuale dhe qëndrimet emocionale nga degë, simpatizantë apo individë të caktuar, duke vlerësuar se forma të tilla propagande e deformojnë demokracinë e brendshme dhe rrezikojnë ta shndërrojnë Kuvendin e LDK-së në arenë përçarjesh. Sipas Mustafës, LDK ende bart pasojat e përvojave të tilla nga e kaluara dhe nuk ka nevojë për përsëritje të tyre.

banner

Në mesazhin e tij, ish-kryetari nënvizon se LDK nuk meriton “epitafe”, por besim në potencialin dhe forcën e saj vetërregulluese. Ai rikujton se LDK qëndron mbi individët dhe se, përjashtuar figurën historike të Ibrahim Rugovës, partia nuk duhet të identifikohet me asnjë emër të veçantë.

Mustafa vë theks të veçantë te roli i Kuvendit si organi më i lartë i partisë, i cili, sipas tij, duhet të rikonfirmojë identitetin ideologjik të LDK-së si parti konservatore e qendrës së djathtë, me orientim të palëkundur euroatlantik, të ndërtuar mbi parimet themeluese të para 36 viteve. Ai paralajmëron se beteja politike e LDK-së nuk duhet të shndërrohet në “ankand”, por të mbetet ofertë serioze për ndërtimin e një shteti të fortë, perspektiv dhe të qëndrueshëm.

Në lidhje me reformat, Mustafa thekson se ato duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj LDK-së, të hapur për prurje të reja dhe përfshirje të gjeneratave të reja, pa ndarje artificiale mes “të vjetërve” dhe “të rinjve”. Sipas tij, partia ka nevojë për mekanizma që rrisin anëtarësinë, simpatinë dhe mbështetjen elektorale, ndërsa përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati sjell pasoja.

Në përmbyllje, Mustafa shpreh bindjen se Kuvendi i LDK-së mund të gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar interesin e përgjithshëm të partisë, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përfshirjen e të gjithë veprimtarëve, duke theksuar se “asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy