Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë Kosovë, nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në mashtrime me kartela bankare, duke keqpërdorur të dhënat e qytetarëve të huaj për përfitime personale.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, të dyshuarit, meshkuj shtetas të Kosovës, dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare dhe të kreditit, duke shkaktuar dëme financiare.
Rasti është trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me ç’rast është realizuar edhe kontrolli i pronës së të dyshuarve. Gjatë këtij kontrolli, autoritetet kanë sekuestruar një telefon mobil, i cili pritet të shërbejë si provë materiale në procedurën penale.
Ngjarja ka ndodhur më 28 janar 2026, rreth orës 18:20, në Fushë Kosovë. “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale. Në konsultim me prokurorin është kontrolluar prona e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit është sekuestruar një telefon, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Policia e Kosovës njofton se hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë që lidhet me keqpërdorimin e mjeteve financiare.

