Naim Murseli: “Marrëdhënia me Liridonën ka qenë e mirë, nuk kam ushtruar kurrë dhunë”

by engel

Në seancën e së enjtes para trupit gjykues, i akuzuari Naim Murseli ka deklaruar se marrëdhënia e tij me të ndjerën Liridona Ademaj ka qenë e mirë dhe se gjatë martesës së tyre nuk ka ushtruar kurrë dhunë ndaj saj. Ai ka dhënë detaje për jetën familjare, bizneset në Suedi e Kosovë dhe policën e sigurimit.

Murseli u pyet nga avokati mbrojtës, Shemsedin Piraj, lidhur me raportet me bashkëshorten, financat dhe jetën e tyre të përbashkët. “A mundesh me shpjegu çështjen e raporteve me të ndjerën Liridonën?”, e pyeti Piraj.

banner

“Në vitin 2010 u fejuam dhe u martuam në dhjetor 2011. Kishim 12 vite martesë dhe dy fëmijë. Marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë dhe e lumtur. Ajo ka qenë një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Në Suedi kemi jetuar së bashku, ku pas tri vitesh Liridona u bë nënshtetase suedeze. Pesë vitet e para i kaluam duke u përpjekur të krijonim familje, dhe më në fund në 2017 lindi fëmija i parë, ndërsa pas një viti e gjysmë edhe i dyti. Nuk ka pasur asnjëherë ngjarje problematike, as grindje serioze, dhe nuk ka pasur pse të ankohej, sepse nuk kam ushtruar dhunë”, tha Murseli.

Ai tregoi gjithashtu për aktivitetin e tyre financiar dhe bizneset që kanë menaxhuar së bashku. “Në Suedi kam pasur një restorant dhe një kompani pastrimi bashkë me Liridonën. Të ardhurat tona kanë qenë të mjaftueshme: unë kam fituar rreth 45 mijë euro në vit, ajo 20 mijë euro. Po ashtu kemi ofruar shërbime marketingu online për biznese të ndryshme.”

Murseli foli edhe për policën e sigurimit që kishin në Suedi. “Çdo shtetas suedez ka polici sigurimi, për shtëpi dhe jetë. Edhe unë kam pas, ashtu si Liridona. Shuma e policës nuk është maksimale, mund të rritet deri në 600 mijë euro. Është krejt normale të kesh një policë të tillë.”

Ai insiston se nuk ka pasur grindje serioze me Ademajn: “Si çdo çift, ka pasur mosmarrëveshje të vogla, por jo deri në ftohje të marrëdhënieve. Martesa jonë ka qenë në rregull.”

Në seancë, Murseli foli edhe për biznesin e hapur në Kosovë dhe blerjen e një shtëpie në Bernicë, ku tha se Liridona ka ardhur në qershor të 2023 për t’u bërë bashkëpronare e banesës dhe se kanë jetuar aty deri në ditën kritike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy