Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Ndërmarrja Komunale “Pastrimi” tash e një kohë po përballet me vështirësi në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave në Kryeqytet, për shkak të kapaciteteve të kufizuara teknike.
Sipas njoftimit të kryetarit Rama, KRM “Pastrimi” Sh.A. ka kërkuar mbështetje nga Komuna e Prishtinës, duke theksuar pamundësinë momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ në menaxhimin e mbetjeve.
“Menjëherë pas pranimit të kësaj kërkese, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke ofruar mbështetjen e nevojshme dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, ku janë përcaktuar ndihmat konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka bërë të ditur Rama.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga dita e sotme ka nisur portimi i mbeturinave në terren, me fokus të veçantë në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte ndërtimore dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e Kryeqytetit.
Autoritetet komunale vlerësojnë se ky bashkëpunim do të rrisë kapacitetet operative në terren, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më efikase, si dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e pastërtisë urbane dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës.
Komuna e Prishtinës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të adresuar sfidat në menaxhimin e mbeturinave dhe për të garantuar një mjedis më të pastër për të gjithë banorët e Kryeqytetit.

