Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se pas veprimeve të tij konkrete për mbrojtjen e pronës publike në qendër të Prishtinës, Gjykata e Shkallës së Dytë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili rrezikonte përvetësimin e tokës publike nga grupe të fuqishme interesi të lidhura me struktura kriminale.
Tahiri ka sqaruar se sapo ishte njoftuar për vendimin gjyqësor që hapte rrugë për grabitjen e pronës publike dhe ndërtimin e kullave gjigante afariste në mes të kryeqytetit, ai kishte ndërmarrë menjëherë hapa konkretë ligjorë për ta ndalur këtë proces.
“Nuk heshta dhe nuk u tërhoqa. Angazhova një ekip profesional pro bono, të udhëhequr nga avokati Faton Fetahu, për ta mbrojtur pronën e qytetarëve të Prishtinës. Kjo tokë nuk është e grupeve kriminale dhe as e interesave të errëta, por pronë publike që u takon qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se vendimi i sotëm i Gjykatës së Shkallës së Dytë, i cili e ka rrëzuar vendimin e mëhershëm dhe e ka kthyer çështjen në pikën zero, është rezultat i një angazhimi të drejtpërdrejtë dhe të vendosur për mbrojtjen e interesit publik.
Në përfundim, Tahiri ka ritheksuar se do të vazhdojë të veprojë kundër çdo përpjekjeje për keqpërdorim të pronës publike dhe do të mbetet i palëkundur në mbrojtje të qytetarëve dhe interesit publik.

