Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi po vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Mallorcas.
Sulmuesi kosovar ka një ndikim vendimtar te skuadra spanjolle, duke u renditur në krye të listës së lojtarëve me përqindjen më të lartë të golave të shënuar për ekipin e tyre në Evropë.
Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, plot 58.3% e golave të Mallorcas këtë sezon janë realizuar nga Vedat Muriqi, një shifër që i lë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror.
Për krahasim, Kylian Mbappe (Real Madrid) ka shënuar 46.7% të golave të ekipit të tij.
Pas tij vijnë Igor Thiago i Brentfordit me 45.7%, Mateo Pellegrino (Parma) 42.9%, Lassine Sinayoko (Auxerre) 42.9%, Erling Haaland (Manchester City) 42.6%.
Kjo statistikë tregon qartë rëndësinë jetike që Muriqi ka për Mallorcan dhe konfirmon formën e jashtëzakonshme të “Piratit” në La Liga, duke e bërë atë një nga sulmuesit më vendimtarë në Evropë këtë sezon.
Muriqi ka 14 gola në elitën e futbollit spanjoll në 20 ndeshje të këtij edicioni.
“Pirati dardan” gjatë ditës së premte u shpall edhe lojtari i muajit janar në La Liga, pasi shënoi pesë gola në katër ndeshje – përfshirë këtu edhe një “hattrick” ndaj Athletic Club.

