Prokuroria Speciale ka intervistuar si të pandehur edhe deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në lidhje me grantet e Ministrisë së Bujqësisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.
Pacolli ka qenë Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Sot gjatë ditës në cilësinë e të pandehurit është intervistuar kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, në lidhje me grantet në Ministrinë e Bujqësisë gjatë kohës sa ishte në krye të saj si ministër.
“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Luta më herët.
Peci u lajmërua pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, duke thënë se ka qenë “transparent dhe i drejtpërdrejtë”, ndërsa ka akuzuar deputetin e LDK-së, Paris Guri, për “kallëzim të rrejshëm penal” ndaj tij. Peci tha se ky kallëzim e çoi atë në Prokurori dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj Gurit.
“Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallëzimit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës. Sepse ai përmes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, që çuan deri te një kallëzim i rrejshëm penal kundër meje si ministër”.
Dyshimet ndaj deputetes Pacolli u ngritën pasi dy familjarë të saj, vëllai dhe daja, kishin përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë.

