Fundi i politikës

by informim peje

Nga Arben Qirezi

Prandaj, fundi i politikës do të shënojë fillimin e rrugës si mjet për ta kundërshtuar atë që, nga qeverisja, do të shndërrohet në sundimin e një njeriu. Kjo epokë e fundit e politikës do të përfundojë në rrugë, sepse rruga do të mbetet mjeti i vetëm i shprehjes së pakënaqësisë, ideve dhe kundërshtimit politik. Do të mjaftojë një shkëndijë, një ngjarje, që t’i nxisë njerëzit të dalin në rrugë, sepse mjetet demokratike nuk funksionojnë kur vjen fundi i politikës.

banner

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, impulsi i parë që më erdhi ishte të mos shkruaja më kolumne të rregullta për Kohën. Arsyeja është se ky rezultat shënon fundin e politikës në Kosovë. Kur vjen fundi i politikës, një kolumnisti politik, siç jam unë, nuk i mbetet më çfarë të shkruajë. Ashtu siç e ka thënë Francis Fukuyama në librin e tij të njohur “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, edhe në Kosovë i erdhi fundi i politikës.

Qytetarët e vendit, për arsye që për mua mbeten të pakapshme dhe të pakuptueshme, vendosën që me më shumë se 51 për qind të votave t’ia japin edhe një mandat absolut e të pakontestueshëm Albin Kurtit, i cili, gjatë mandatit të kaluar, nuk i solli Kosovës zhvillim ekonomik e social, as perspektivë euroatlantike. Përkundrazi, e izoloi vendin, e futi nën sanksione të BE-së dhe nuk realizoi asnjë projekt apo investim të mirëfilltë zhvillimor. Madje, nuk zhvilloi as politika sociale, që ishin premtimi i tij kryesor para zgjedhjeve të vitit 2021. Kulmi i politikës së tij sociale ishte shpërndarja e qindra milionave euro në periudhat parazgjedhore.

Me këtë politikë, e cila promovon papunësinë dhe dembelinë e jo zhvillimin dhe punën e ndershme, Kurti, si kryeministër dhe kryeministër në detyrë, bëri keqpërdorimin më të madh të buxhetit të vendit për qëllime personale dhe partiake. Këto para, siç duket, e arritën efektin e tyre, sepse kundërshpërblimi për këto para “belesh” ishte vota masive për LVV-në.

Siç e theksova edhe në fillim, rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit shënon fundin e politikës në Kosovë. Tanimë kemi një parti, respektivisht një individ, me pushtet absolut në mandatin e dytë dhe një opozitë e cila, me numrat që ka dhe me krizën konceptuale në të cilën ndodhet, nuk do të jetë në gjendje t’i sfidojë vendimet e qeverisë në mënyrë të mirëfilltë.

Për më tepër, partitë opozitare janë në krizë të thellë, si të identitetit politik, ashtu edhe konceptuale. Rezultati zgjedhor tregoi se as ndryshimet personale, as premtimet parazgjedhore — të cilat, thënë të drejtën, nuk ishin as një e dhjeta e asaj që duhet të bëjë një opozitë serioze — nuk arritën t’i bindin qytetarët për vlefshmërinë e premtimit për një qeverisje më të mirë se ajo e Kurtit gjatë pesëvjeçarit të fundit. Me mungesat e tyre konceptuale, partitë opozitare nuk arritën ta sfidojnë populizmin social dhe nacionalist të Kurtit, duke ia dhënë fitoren “në pjatë”.

Tani, me fundin e politikës që e vulosën vetë qytetarët, Kosova do të kthehet në një “one-man show”, duke iu ngjasuar Shqipërisë dhe Serbisë, ku për më shumë se një dekadë opozita pothuajse nuk ekziston, ndërsa të gjithë fijet i tërheqin liderët e pakontestueshëm të partive në pushtet. Kosova ka hyrë në një periudhë politike në të cilën një parti ka mundësinë të sundojë e pasfiduar.

Ishte ky një vendim sovran i qytetarëve, të cilët zgjodhën ta fusin vendin në një epokë ku nuk zhvillohet politikë, por sundon njëmendësia dhe absolutizmi. Balanca e pushteteve — ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore — do të zbehet deri në zhdukje, sepse këtë e ka paralajmëruar vetë lideri i partisë në pushtet. Me zhdukjen e kësaj balance, do të thellohet keqqeverisja, do të lulëzojë korrupsioni dhe do të zbehet sundimi i ligjit, pasi nuk do të ketë forcë kredibile që ta sfidojë pushtetin.

LVV-ja e ka dëshmuar vazhdimisht se është kundër balancës së pushteteve, sundimit të ligjit dhe pluralizmit politik. Gjatë qeverisjes së saj pesëvjeçare, ajo e ka shkelur Kushtetutën, ka qenë në konflikt të hapur me institucionet e sundimit të ligjit dhe ka nisur procesin e delegjitimimit të pluralizmit politik. Kur nuk arriti të sfidohej nga opozita, u vërsul ndaj opinionistëve, duke delegjitimuar pluralizmin e ideve dhe të pikëpamjeve.

Argumenti se gjatë qeverisjes së Kurtit është shtrirë sovraniteti në veri të vendit është i rremë. Veriu nuk mund të mbahet përgjithmonë me forca speciale policore. Atij i mungon integrimi politik, social dhe ekonomik. Forca shërben për kontroll, jo për integrim. Kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit lokale, ku Lista Serbe u rikthye në pushtet në katër komunat veriore dhe fitoi bindshëm edhe në komunat e tjera me shumicë serbe.

Fundi i politikës do të sjellë qeverisje mujshare, ku lideri dhe partia e tij do të bëjnë çfarë t’u shkojë për shtati për forcimin e pushtetit dhe pasurimin personal. Populizmi dhe loja me kartën nacionaliste mund të funksionojnë për një kohë, por jo përgjithmonë. Pakënaqësia qytetare do të rritet, sepse pushteti nuk mund të mbahet vetëm me propagandë.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ishin thjesht një proces elektoral, por një akt politik me pasoja afatgjata. Kur politika shuhet, mbetet pushteti i zhveshur nga përgjegjësia dhe qytetari i reduktuar në spektator. Dhe historia na mëson se një pushtet i tillë nuk kundërshtohet në institucione, por në rrugë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy