IKD: Ministria e Drejtësisë shkeli ligjin me mosorganizmim të Provimit të Jurisprudencës

by informim peje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë e ka shkelur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës dhe ka cenuar të drejtat e kandidatëve duke mos e organizuar mbajtjen e këtij provimi.

Në reagimin e IKD-së thuhet se Ligji e përcakton që provimi duhet të organizohet nga Ministria tri herë brenda një viti kalendarik.

banner

Sipas IKD-së hera e fundit kur Ministria e Drejtësisë ka organizuar Provimin e Jurisprudencës ka qenë afati i prillit 2025.

“Gjatë gjithë vitit 2025, MD ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik. Në këtë mënyrë, deri më tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë Provimin e Jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së kjo përveçse është shkelje e ligjit cenon edhe të drejtat e kandidatëve.

“Përtej shkeljes së ligjit, kjo situatë cenon të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që procesi i Provimit të Jurisprudencës të organizohet në përputhje me afatet ligjore. Në rrethanat aktuale, kandidatët nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi, duke u pamundësuar avancimi në karrierë dhe, potencialisht, duke u humbur atyre mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi profesional”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se një kategori tjetër e personave të prekur janë kandidatët që kanë mbetur në riprovim.

“Përkundër faktit se këta kandidatë e kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, disa prej tyre kanë mbetur në riprovim në një ose më shumë lëndë. Për shkak të mosorganizimit të Provimit të Jurisprudencës, këta kandidatë e kanë të pamundur ta finalizojnë këtë proces, duke u shkaktuar vonesa dhe dëme të drejtpërdrejta në avancimin e tyre profesional”, thuhet në reagim.

IKD-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë dhe të organizojë Provimin e Jurisprudencës, siç thuhet, në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar ligjshmërinë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy