Pas krijimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, gjë për të cilën Albin Kurti sot ka thënë se s’do të ketë asnjë problem, liderit të LVV-së do t’i duhet t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe ta zgjedh presidentin e ri të vendit, .
Për këtë, Kurti ka thënë se i duhet opozita dhe sipas tij, do të mbetet të shihet në muajin shkurt 2026, nëse do të nderohet një raport i ri me partitë opozitare apo nëse do të vazhdojë avazi i vjetër.
“Në raport me opozitën, tek marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe tek konstituimi i Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, do ta shohim se a po ia fillojmë një kapitulli të ri që dallon prej atij të vitit 2025”, ka thënë Kurti.
“Por neve na duhet në Kuvend ta shohim se sa ka atmosferë për një raport të ri qeveri-opozitë. S’mund ta them paraprakisht, por muaji shkurt do të na tregojë se a do të mund të hapim një kapitull të ri të marrëdhënieve tona”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se për krijimin e Qeverisë nuk do të ketë problem kësaj radhe për votat, derisa ka thënë se opozita do t’i duhet kur të vijë koha për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe “për rizgjedhjen e presidentes apo zgjedhjen e presidentit”
“Për 2/3 e votave që nevojiten prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri tek rizgjedhja e presidentes apo zgjedhja e presidnetit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në shkurt do të shohim nëse ka interesim edhe nga opozita”, ka thënë Kurti

