Në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm u zhvillua ceremonia e gradimit të tre gjeneralëve të rinj të Forcave të Armatosura.Grada madhore “Gjeneral brigade”, me dekret të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-lejtnant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se tre gjeneralët e rinj që iu shtuan niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura përfaqësojnë tre rrugëtime të veçanta në forcë dhe janë tre profesionistë të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut.
“Niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura u shtohen sot tre gjeneralë të rinj. Tre rrugëtime të veçanta në forcë, tre profesionistë dhe shërbyes të përkushtuar ndaj uniformës dhe Atdheut. Suksese në këtë përgjegjësi të re: Gjeneral brigade Razije Mehmeti, Gjeneral brigade Fatmir Neziraj, Gjeneral brigade Edmond Voci. Me përkushtimin tuaj, t’i shtoni vlera Forcës dhe të shërbeni si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj”, shkruan Vengu.
Gradimi i tre gjeneralëve konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Forcave të Armatosura dhe në vijimin e procesit të modernizimit të tyre

