Qytetarët të “zhytur” në kredi, Gërxhaliu: Është koha për institucione stabile

by informim peje

Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 ka arritur në 2.684 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje po vlerësohet si pasojë e drejtpërdrejtë e ngërçit politik dhe mungesës së projekteve kapitale.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se vendi ka nevojë për dialog të mirëfilltë dhe stabilitet politik, duke theksuar se bankat nuk duhet të jenë zgjidhja e vetme për qytetarët dhe bizneset, e aq më pak institucionet mikrofinanciare apo format e kriminalizuara ku lulëzon fajdeja.

banner

“Aspekti ekonomik në Kosovë është vërtet shqetësues. Këtë e kuptojnë qytetarët dhe bizneset, por fatkeqësisht nuk e kuptojnë politikanët. Për më shumë se një vit e gjysmë nuk kemi institucione funksionale dhe nuk kemi projekte kapitale, përfshirë partneritetet publiko-private, ku sektori privat do të mund të ishte i përfshirë drejtpërdrejt”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, një nga pasojat më të rënda të mungesës së likuiditetit është pamundësia e bizneseve për të shlyer borxhet ndërmjet tyre.

“Kemi borxhe mes bizneseve për shërbime dhe punë të kryera. Kjo situatë e sfidon sektorin privat, i cili detyrohet të orientohet drejt bankave komerciale për kredi, institucioneve mikrofinanciare apo edhe formave të tjera të kriminalizuara, ku lulëzon fajdeja. Kemi paralajmëruar se kreditë do të jenë në rritje. Kjo rritje po shoqërohet edhe me rritje të heshtur të kamatave bankare”, theksoi ai.

Gërxhaliu tha se përfitimet e bankave komerciale nuk duhet të befasojnë, pasi ato janë bërë adresa e vetme për sektorin privat për shkak të mungesës së alternativave institucionale.

“Është koha kur duhet të kemi institucione stabile, stabilitet politik dhe dialog të mirëfilltë. Nuk mund të jetë banka gjithmonë zgjidhja e vetme. Fakti që në Kosovë janë të regjistruara mbi 200 mijë biznese, ndërsa aktive janë vetëm rreth një e treta e tyre, tregon qartë pasivizimin ekonomik që e ka kapluar vendin”, tha ai.

Ai potencoi se përfitimet e bankave janë rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që e quajti “heshtje institucionale”.

“Nuk duhet të na irritojë fakti që bankat po përfitojnë, sepse ato po e shfrytëzojnë momentin. Nëse do të kishte projekte kapitale dhe bashkëpunim të mirëfilltë me sektorin privat, adresa kryesore do të ishin institucionet dhe jo bankat komerciale”, u shpreh Gërxhaliu.

Përveç bizneseve, ai vuri në pah edhe gjendjen e rënduar të familjeve kosovare.

“Krahas rritjes së kredive për biznese, kemi rritje edhe të kredive konsumuese dhe overdrafteve. Kjo duhet të jetë brenga më e madhe, sepse jeta në Kosovë po bëhet çdo ditë e më e shtrenjtë dhe më e papërballueshme. Fakti që 48 për qind e familjeve në Kosovë nuk do të mund ta përballonin një shpenzim shtesë prej 200 eurosh, tregon qartë gjendjen ekonomike dhe sociale në vend”, theksoi ai.

Sipas të dhënave, vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2024 ishte 2.587 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo vlerë u rrit në 2.684 miliardë euro./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy