Taulant Hodaj njofton: Nuk do të kandidoj për kryetar të FFK-së deri në krijimin e kushteve ligjore

by informim peje

Ditët e fundit, avokati dhe ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Taulant Hodaj, është lidhur me një kandidaturë të mundshme për kryetar të FFK-së.

Në një postim në Facebook, Hodaj ka theksuar se këto kërkesa janë vazhdimësi e qëndrimeve të tij të hapura për nevojën e ndryshimeve në qeverisjen e FFK-së, duke përmendur parregullsitë, mungesën e transparencës dhe mënyrën jo demokratike të udhëheqjes nga kreu aktual.

banner

Ai ka falënderuar komunitetin e futbollit për besimin e treguar, duke shtuar se do të ishte i gatshëm të hynte në një garë të hapur, demokratike dhe të ndershme, ku klubet dhe anëtarët të kenë lirinë reale për të zgjedhur.

Megjithatë, Hodaj ka theksuar se Kuvendi i thirrur për datën 5 shkurt është jashtëligjshëm organizuar, sipas Ministrisë së Sportit, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të kamufluara dhe nën presion. Ai ka kritikuar kriteret diskriminuese për kandidim, të cilat e bëjnë garën praktikisht të pamundur dhe favorizojnë vetëm një kandidat.

Hodaj ka theksuar se letra e fundit e FIFA dhe UEFA-së nuk kundërshton argumentin ligjor të Ministrisë, dhe gjatë procesit të hartimit të statutit, këto organizata kanë konstatuar se kriteri aktual për nënshkrime për kandidim është diskriminues.

Ai ka sqaruar gjithashtu se përpjekjet e FFK-së për të paraqitur situatën si ndërhyrje të institucioneve në pavarësinë e federatës nuk qëndrojnë dhe kanë për qëllim keqinformimin e opinionit dhe përfitimin e fondeve për interesa të ngushta.

“Në momentin që krijohen kushte reale ligjore për garë, do t’i shqyrtoj seriozisht rrethanat dhe, në respekt të kërkesave të komunitetit të futbollit, mund të konsideroj hyrjen në garë. Deri atëherë, do të jap kontributin tim maksimal si avokat, ekspert ligjor i UEFA-s dhe njohës i qeverisjes sportive,” ka thënë Hodaj.

Ai ka përfunduar duke theksuar se vetëm me ligjshmëri, transparencë dhe liri reale për zgjedhje do të mund të arrihet zhvillimi i duhur i futbollit kosovar dhe rezultate që federata dhe sportistët e Kosovës meritojnë.

POSTIMI I PLOTË:

“Ligjshmëria nuk është pengesë – gara e lirë është minimumi i demokracisë sportive

Ditët e fundit jam kontaktuar vazhdimisht nga klube të futbollit dhe media lidhur me një kandidaturë time potenciale për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Këto kërkesa nuk janë të rastësishme. Ato janë vazhdimësi e qëndrimeve të mia njëher të e pastaj publike ndër vite për nevojën e një ndryshimi thelbësor në qeverisjen e FFK-së, si dhe e mospajtimeve të mia të hapura me parregullsitë, mungesën e transparencës dhe mënyrën jo demokratike të udhëheqjes nga kreu aktual.

I çmoj jashtëzakonisht shumë besimin dhe kërkesat e klubeve dhe të komunitetit të futbollit. Ky besim më obligon. Ndryshimi i qeverisjes në futboll që dëshprimisht është i nevojshëm, nëse synohet të jetë real dhe i qëndrueshëm, nis nga kreu sepse aty është problemi. Në parim, dhe në respekt të kësaj kërkese legjitime, do të isha i gatshëm t’i hyja një gare të hapur, demokratike dhe të ndershme, ku klubet dhe anëtarët të kenë lirinë reale për të zgjedhur.

Megjithatë, Kuvendi i thirrur për datën 5 shkurt, ashtu siç ka konstatuar edhe Ministria e Sportit, është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme, me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të kamufluara, nën presion e shantazh dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë sportive. Mbledhja e nënshkrimeve mbështetëse nga delegatët e jo nga antarët është e jashtëligjshme dhe kundër statutit, poashtu barrierat artificiale për kandidim dhe parregullsitë e shumta të evidentuara e bëjnë të qartë se një proces i tillë nuk mund të prodhojë efekt juridik në Kosovë, as sipas ligjit vendor dhe statutit të FFK-së, as sipas rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s.

Siç është theksuar edhe nga Ministria, aktualisht janë vendosur kritere diskriminuese, të papara në praktikat demokratike sportive, ku nga rreth 26 anëtarë të licencuar të FFK-së kërkohen 15 nënshkrime për të kandiduar për kryetar, duke e bërë garën praktikisht të pamundur dhe duke favorizuar vetëm një kandidat të vetëm. (Në foto: qëndrimet institucionale të Ministrisë lidhur me ligjshmërinë e Kuvendit të 5 shkurtit).

Për dijeni të opinionit publik, letra e FIFA dhe UEFA-së tani së fundi drejtuar FFK-së në asnjë mënyrë nuk e konteston argumentin ligjor te Ministrisë, në fakt nuk është përgjigje për Ministrinë por përgjigje në një letër te FFK-së e cila ka tentuar të maipuloj rreth kërkesave reale të mnistrisë. Për më tepër, gjatë procesit të hartimit të statutit të FFK-së, vet UEFA dhe FIFA kanë konstatuar me shkrim se ky kriter përbën dispozitë diskriminuese dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë ku në vend të 15 nënshkrimeve kanë konstatuar se 3 nënshkrime mjaftojnë për garë të ndershme. Përkundër kësaj, këto vërejtje janë injoruar dhe kamufluar deri më tani. (Në foto: komentet zyrtare të UEFA dhe FIFA mbi statutin e FFK-së).

Sa i përket përpjekjeve të fundit të FFK-së për ta paraqitur situatën sikur institucionet e Kosovës po ndërhyjnë në pavarësinë e federatës dhe për të vënë në lajthitje UEFA/FIFA apo përfaqësitë diplomatike, ky narrativ nuk qëndron. Nuk mundesh, në njërën anë, të përfaqësosh futbollin e Kosovës, të përfitosh fonde dhe privilegje në emër të futbollit të Kosovës, e në anën tjetër ti keqpërdor këto fonde për interesa të ngushta, akuzosh institucionet e Kosovës dhe të rreshtohesh me vende armiqësore ndaj saj.

Në momentin që krijohen kushte reale ligjore për garë, gjë që besoj se do të ndodhë shumë shpejt, do t’i vlerësoj seriozisht rrethanat dhe, në respekt të kërkesave të komunitetit të futbollit, veçanërisht të klubeve, do të shqyrtoj hyrjen në garë për kreun e organizatës së futbollit në Kosovë. Deri atëherë, ashtu si edhe deri më sot, do të jap kontributin tim maksimal: si avokat, si njohës i rregullave dhe qeverisjes sportive, si ekspert ligjor i UEFA-s apo në çdo rol tjetër ku mund të ndihmoj realisht.

Në çdo kapacitet, angazhimi im ka vetëm një synim: që futbolli i Kosovës të përfitojë qeverisjen, ekspertizën dhe infrastrukturën që e meriton. Kosova ka talente të jashtëzakonshme dhe mbështetje financiare e infrastrukturore nga institucionet e Kosovës, UEFA dhe FIFA, këto potenciale fatkeqësisht nuk janë shfrytëzuar seriozisht nga udhëheqja aktuale, por janë përdorur për interesa të ngushta dhe kapjen e organizatës.

Zgjedhjet e jashtëligjshme edhe mund të mbahen përkohësisht mê 05 shkurt duke i vërë në pozitë të vështirë klubet, këto zgjedhje eventuale nuk mund të mbijetojnë përballë ligjit dhe rendit juridik. Herët a vonë, në futbollin e Kosovës do të vendoset ligjshmëria, transparenca dhe rregulli, klubet dhe anëtarët të kenë lirinë reale për të zgjedhur dhe vetëm atëherë do t’i hapet rruga zhvillimit real dhe rezultateve që futbolli ynë i meriton”./GazetaExpress/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy