Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike, në kuadër të zgjedhjeve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Komunën e Malishevës.
Sipas njoftimit zyrtar, më 28 janar 2026 janë inicuar hetimet, mirëpo atë ditë nuk ishte siguruar prezenca e një kryesuesi të komisionit. Prezenca e tij është siguruar sot, më 2 shkurt 2026, kur edhe është intervistuar nga organet e drejtësisë.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Po ashtu, Prokuroria ka paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari ngarkohet me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e paraparë në nenin 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

