120 vetura, vila me qira 24 mijë franga në muaj, targa speciale, 1,5 milionë franga dëm, kredi të papaguara. Një sheh nga Kosova përfshiu familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy ndihmës, në mashtrime sistematike. Nga një gjykatë zvicerane ai u dënua me 3 vjet e gjysmë burg – dhe 3 vjet ndalimhyrje në Zvicër.
Një skemë mashtrimi në Zvicër ka marrë epilog në Gjykatën e Dietikonit afër Zürichut, duke zbuluar prapaskenat e një jete përrallore të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe keqpërdorime të shtetit zviceran.
Në qendër të këtij skandali është një 57-vjeçar nga Kosova, i cili njihet si “sheh-imam” dhe pretendon se udhëheq rreth 8000 besimtarë dervishë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”.
Ai akuzohet se ka organizuar një sistem kriminal familjar duke shkaktuar një dëm total prej 1,5 milion frangash zvicerane.
Hetimet e policisë kishin nisur me një bastisje në një vilë luksoze afër Zürichut, për të cilën shehu paguante qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj.
Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.
Sipas prokurorisë, ky sheh luante rolin e një sipërmarrësi të patundshmërive, duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran me bilance të falsifikuara, veçanërisht duke përfituar mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19 (pandemia e koronës).
Ajo që ka lënë pa fjalë opinionin publik është luksi i shfrenuar që familja shfaqte me paratë e vjedhura.
Ndonëse para zyrave të shtetit shehu deklaronte se ishte i varfër, familja kishte në pronësi një flotë prej 120 automjetesh.
Mes tyre bien në sy vetura të tipit Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Si merakli i veturave shehu shpenzoi rreth 100 mijë franga vetëm për blerjen e tri tabelave të regjistrimit me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankand si simbole prestigji.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili zgjati gjashtë ditë, i akuzuari kryesor u dënua me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori i Zvicrës për një periudhë prej 3 vitesh. Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet dëbim nga Zvicra.
Sa i përket anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, gjykata vendosi t’i lirojë nga akuzat ose t’i dënojë me gjoba minimale.
Arsyetimi i gjykatës ishte se brenda familjes mbretëronte një strukturë strikte patriarkale ku shehu vendoste për çdo gjë.
Fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente verbërisht për shkak të besimit ndaj babait dhe nuk kishin njohuri për financat.
Madje, për shkak të muajve të kaluar në paraburgim, vajza dhe njëri nga djemtë e tij do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga nga shteti, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund të ketë “përgjegjësi kolektive” për mëkatet e kryefamiljarit.
Gjatë procesit, shehu kërkoi falje duke u arsyetuar se si prijës fetar nuk dëshironte të figuronte publikisht si pronar biznesesh, andaj përdori anëtarët e familjes.
Gjykatësja ishte e bindur se “energjia kriminale” e shehut kosovar ishte rritur me kalimin e kohës dhe dënimet e mëparshme me gjoba nuk kishin pasur asnjë efekt reflektimi tek ai. Njëri ndihmës i shehut u dënua me kusht, aktgjykimi për tjetrin do të pasojë më vonë.

