“Diella” është vlerësuar me çmimin “Future Fit Seal” në edicionin e samitit të Qeverive Botërore, një platformë globale ku bota mblidhet për të formësuar të ardhmen e qeverisjes.
Çmimi prestigjioz nderon iniciativa të reja teknologjike dhe modele të reja qeverisjeje, të cilat përgatisin qeveritë për sfidat e së nesërmes në sektorët e së ardhmes.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e pranishme në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve, theksoi se ky çmim është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Ky çmim përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për “Diellën”, një iniciativë që shënon një hap të guximshëm për Shqipërinë në institucionalizimin e teknologjive të përparuara dhe në transformimin digjital të qeverisjes”, tha ministrja Ibrahimaj.
“Diella”, ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, synon përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet publike, përshpejtimin e digjitalizimit të plotë të dokumenteve dhe proceseve shtetërore, si dhe integrimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në sektorë të rëndësishëm, duke ofruar shërbime më të shpejta, më të sakta dhe më të drejta.
“Me këtë vlerësim, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për ndërtimin e një qeverisjeje moderne, transparente dhe efikase, ku inovacioni teknologjik vihet në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të shtetit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj, pas marrjes së këtij çmimi.
Vetë ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella” përshëndeti aktivitetin përmes një videomesazhi, duke theksuar se çmimi është më shumë se një dallim, është një mesazh i fortë se transformimi digjital është një drejtim strategjik që forcon transparencën, rrit efikasitetin dhe zgjeron aksesin e qytetarëve në shërbimet publike.
“Sot, Shqipëria nderohet për një projekt që pasqyron këtë vizion: “Diella”, Ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, një hap pionier drejt shërbimeve publike më të zgjuara, më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse. Ky vlerësim na frymëzon të ecim përpara me vendosmëri edhe më të madhe drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja, që sjell ndikim real për qytetarët dhe ndërton një shtet më të fortë për brezat që vijnë”, u shpreh “Diella”.

